Lajme

Dyshimet për korrupsion në Polici, flet Emin Beqiri

05/19/2017 18:00
nga:Gazeta Blic

Denoncimin se njerëz brenda policisë kanë gisht në neglizhimin e rastit QAD e ka quajtur të pabaza dhe hakmarrje ndaj tij.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi për arrestimin e Rrahim Hashimit dhe dyshimeve që 100 mijë euro ishin marrë për të zgjidhur një lëndë të cilën po e hetonin krimet ekonomike në Policinë e Kosovës.

Në dokumentet të cilat i ka parë KALLXO.com përpos Hashimit përmenden edhe zyrtarë të lartë të Policisë.

Eprori i krimeve ekonomike Emin Beqiri e ka quajtur të motivuar nga interesa brenda prokurorisë dhe policisë hetimin për këtë rast.

“Kjo është agjendë e brendshme brenda prokurorisë dhe policisë për të më goditur mua. Rasti penal i QAD-it jo që nuk është mbyllur por është ngritur aktakuza diku me 70 faqe, ndërsa i kemi diku rreth 60 persona që janë intervistuar dhe shuma e dëmit që ju ka sjellë atyne është diku përmbi 460 mijë euro dhe unë shpresoj që për një të ardhme që pasi është ngritur aktakuza ata policët të shpërblehen me mirënjohje dhe jo për që e kanë mbyll. Nuk ka mbyllje është shpifje”, tha Beqiri për KALLXO.com.

Javën e kaluar, KALLXO.com raportoi për arrestimin e Rrahim Hashimit nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast penal.

KALLXO.com ka siguruar një fotografi në të cilën Beqiri shihet duke qëndruar në një dasmë bashkë me të arrestuarin e para disa ditëve.

Hetimi për rastin është iniciuar nga prokuroria speciale ndërsa është hetuar nga Task Forca e policisë kundër korrupsion një mekanizëm ky i cili funksionon ndaras nga njësia e krimeve ekonomike.

Por Beqiri pretendon se e tërë kjo është “agjendë brenda prokurorisë” pa sqaruar saktë se për çfarë bëhet fjalë.

KALLXO.com mëson se javë më parë edhe familjarë të zyrtarëve të lartë të prokurorisë speciale ishin cak i hetimeve nga njësia të cilën e drejton majori Beqiri.

KALLXO.com lidhur me fillimin e hetimeve i ka dërguar pyetje Prokurores Fikrije Fejzullahu dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku por nuk ka pranuar përgjigje me arsyetimin se zbulimi i të dhënave mund t’i dëmtoj hetimet.

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk kanë sqaruar apo dhënë ndonjë detaj tjetër lidhur me këtë rast.

Ditë më parë KALLXO.com lidhur me këtë rast raportoi se Gjykata Themelore e Prishtinës, i caktoi masën e paraburgimit, Rrahim Hashimit.

Hashimi sipas pretendimeve të prokurores së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Fikrije Fejzullahu dyshohet se ka kërkuar nga të dëmtuarit V.H dhe F.B kundër të cilëve kishte filluar një procedurë penale, një shumë parash prej 100 mijë euro me qëllim që të njëjtëve t’u minimizohet rasti apo të përmbyllet.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë të paraqitura në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, i pandehuri nga familjarët e të dëmtuarve fillimisht ka marrë 50 mijë euro. Sipas prokurorisë, falë këtij ryshfeti të dëmtuarit kanë përfituar masa më të lehta të sigurisë. Tutje prokuroria pretendon se për të vazhduar tutje me ndihmën rreth procedurës, të dëmtuarve u kërkuan edhe 50 mijë euro të tjera.

“Ndërkaq për të vazhduar me tutje me ndihmën rreth procedurës i kanë kërkuar edhe 50 mijë euro të tjera, e pas kësaj të dëmtuarit duke vërejtur dyshime në lëvizjen e të pandehurve shumicën e kontakteve i incizojnë dhe rastin e paraqesin në polici”, thuhet në aktvendimin për caktimin e paraburgimit për Rrahim Hashimin.

Avokati i të dyshuarit, Hashimi, Nikë Shala për KALLXO.com i mohoi pretendimet e prokurorisë duke thënë se i mbrojturi i tij është i pafajshëm.