Opinion

Duhet të çlirohemi nga mentaliteti  UNMIK-ist dhe ta themelojmë Ushtrinë e Kosovës

03/19/2017 22:47
nga: Donik Sallova

Duke e parë një dokumentar mbi ish-shefat e UNMIK-ut në Kosovë, mu përforcua sërish bindja, se synimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë, veçanërisht atyre të OKB-së, mbështetur edhe nga shumë shtete europiane, ka qenë rehabilitimi i Serbisë në Kosovë.

Qasja kolonizuese e administrimit të UNMIK-ut në Kosovë gjithnjë ka pasur për synim eskalimin e situatës nga padurimi i shqiptarëve, në mënyrë që pas trazirave eventuale kundër ndërkombëtarëve dhe serbëvë, si ato të marsit 2004, të ndahej Kosova, gjithnjë në favor të Serbisë. Duke qenë se nuk e arritën një synim të tillë, europianët e OKB-së imponuan negociata për statusin e Kosovës si formën e vetme për ta krijuar një shtet sa më jofunksional dhe të kontrolluar nga Serbia.

Të gjitha kompromiset që shqiptarët i bënë në Vjenë ndaj serbëve, me premtimin që në fund Serbia do ta njihte shtetësinë e Kosovës, u detyruan të zbatohen nga Kosova edhe pse Serbia nuk e nënshkroi marrëveshjen. Pra nga shtet të shqiptarëve, europianët e OKB-së e degraduan Kosovën në shtet multi-etnik, meqë më nuk mund ta mbanin atë si “krahinë të Serbisë”. Apo siç thotë Ahtisaari në pakon e tij “gjendja s’mund të kthehet para vitit 1999”. Pra shqiptarët janë shumica të gjallë, prandaj si të tillë nuk i rikthejmë dot më nën Serbi.

 

Kjo “Pako” anti-shqiptare që e kornizoi natyrën e varur të shtetit të Kosovës nga delikuenca a shovenizmi i serbëve lokalë, bashkë me mentalitetin UNMIK-ist të një pjese të elitës shqiptare të Kosovës, e cila u krijua me favorizimt e Brukselit, ka bërë që edhe në këtë periudhë kur jemi shtet sovran dhe i pavarur, të sillemi sikur jemi nën tutelen serbo-protekcioniste të OKB-së. Shteti quhet sovran, sepse në vendimet e saj të brendshme nuk ndikohet nga jashtë. Rasti i vazhdimësisë së mentalitetit UNMIK-ist po shpërfaqet edhe në këtë periudhë kur po diskutohet çështja e transformimit të FSK-së. Bashkësia Ndërkombëtare, dmth SHBA dhe NATO i ka bërë dy pohime lidhur me këtë çështje: në pohimin e parë thotë se çështja e transormimit të FSK-së është çështje e brendshme e shtetit të Kosovës, dhe kjo është gjuhë që i drejtohet një shteti; ndërsa në pohimin e dytë na janë drejtuar si protektorat, duke thënë që transformimi duhet të bëhët në koordinim me serbët, pra me Serbinë, dhe kjo është gjuha e ish-kolinizatorëve të UNMIK-ut.

 

Shteti dhe populli i Kosovës sot duhet të zgjedhë nëse pranon që ndërkombëtarët t’i drejtohen Kosovës si vend sovran dhe i pavarur, që sistemin politik nuk ia cënojnë faktorët e jashtëm, apo që akoma e ndjen vetën inferiore si në kohën kur ishte koloni e UNMIK-ut. KFOR-i nuk është NATO dhe me NATO-n nuk mund të bashkohemi pa ushtri. Amerika e vitit 2017 nuk është Amerika e vitit 1999! Por edhe për Amerikën pro-shqiptare të vitit 1999 kemi lobuar fuqishëm të paktën 1 dekadë, sikurse duhet të lobojmë fuqishëm që edhe Amerika e pas vitit 2017 të jetë mbështetëse e jona. Por, Amerika e ka një parim: e respekton vetëm gjendjen faktike në terren. Pra nuk mund të lobojmë për ushtri, pa e bërë vërtetë Ushtrinë e Kosovës.