Opinion

A i duhet Kosovës diplomacia shqiptare?!

09/09/2017 08:44
nga:Ben Andoni

Para disa muajsh pati një intensifikim të punës konsullore të Shqipërisë dhe Kosovës nëpër botë, një interes i përbashkët, fillimisht për uljen e shpenzimeve të përbashkëta dhe e dyta për t’i qëndruar sa më afër në shërbimin diplomatik njëra-tjetrës. Shqipëria, si vendi Amë, ka pasur dhe duhet të ketë një detyrim të përhershëm moral më shumë sesa taksues për t’i qëndruar afër Kosovës. Dhe, në kohën e pavarësimit të Kosovës, Shqipëria e ka ngritur vazhdimisht zërin pro saj, për të mos thënë se në vlagën e tregimit patriotik, institucionet e shtetit shqiptar i zunë frymën njëra-tjetrës për të lobuar.

Në fakt, investimi amerikan dhe fuqia e konjukturës gjeostrategjike e zhvleftësonte disi këtë përpjekje. Në këtë rast, nuk mund të flitej asfare për propagandën dhe përpjekjen titanike institucionale serbe për ta penguar. Serbët ishin përjashtuar si faktor me atë gjenocid ndaj kosovarëve të thjeshtë, por edhe si reagim prej sjelljes aspak normale prej dekadash, mbushur me urrejtjen patologjike  ndaj shqiptarëve. Marrëveshja e Kumanovës i shtyu tutje për të mos ardhur më në Kosovë.

Duke ardhur në ditët tona, Kosova do përballë në muajt në vazhdim me një pozicion tjetër diplomatik, që mëtohet se do të jetë shumë më kërkues me qeverinë Haradinaj dhe Pacollin. Përpjekja e parë do jetë arritja e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që teorikisht duket krejt e pamundur nga sjellja e muajve të fundit të shtetit malazez. Nga ana tjetër përballë janë bisedimet me Serbinë, që tashmë janë ngjitur në një status presidencial, por që kanë ngërçin se qeverinë e Kosovës e drejton një njeri që ende kërkohet në Serbi!

Shqipëria, nga ana tjetër, po vuan dramën e një shërbimi diplomatik që e ka prishur vetë me rrjetin nepotik (Kosova nuk bie më poshtë dhe rastet e nepotizmit të këtij shërbimi janë edhe më të dhimbshme) dhe sidomos me shfrytëzimin politik. Fjalimi i pak ditëve më parë të kryeministrit Rama dhe toni aspak diplomatik i tij më shumë se një shfryrje për mungesën e diplomacisë ekonomike ishte një lloj konfirmimi i asaj diplomacie që bëri qeveria e tij e katër viteve të fundit.

Por nuk mbaron këtu. Shqipëria jeton në një tranzicion të frikshëm, ku rritja ekonomike e propozuar prej 5% në 2018 nuk mund të justifikojë kurrsesi varfërinë dhe papunësinë e ca më tepër krijimin e një baze të mirë për investimet e huaja strategjike. E gjithë kjo panoramë e ka bërë Shqipërinë që të humbasë shumë imazh sa i takon të ardhmes së zhvillimit të saj. Më parë Holanda dhe tani Franca përmes strukturave të tyre po kërkojnë kthimin e vizave. Jo pa të drejtë.

Eksporti agresiv i drogës nga Shqipëria nuk përbën më lajm kur kapet me dhjetëra kilogram, kurse kriminelët shqiptarë tashmë kanë deri organizata. Në këto kushte, avokimi i diplomacisë shqiptare është i dobët, ashtu si e vuri re me të drejtë kryeministri, për Shqipërinë e ca më tepër të jetë i zoti edhe në mbrojtje të Kosovës. Kjo e fundit e përballi realisht këtë vështirësi në heshtjen e Shqipërisë në përgatitjet e këtij viti për pranimin e Kosovës në UNESCO, që u pengua nga një fushatë tmerr e madhe e Serbisë, që kish karikuar të gjitha bateritë.

Veç këtyre, diplomacia shqiptare tashmë do të vuajë edhe dualitetin e kryeministrit të vendit me presidentin e vendit Ilir Meta. Ndërsa me presidentin paraardhës Nishani u bllokuan disa ambasadorë me të riun nuk mendohet se do të jenë më pak.

Ka dhe shumë e shumë faktorë, por ajo që kuptohet është se megjithë sukseset e trumbetuara zbehja e diplomacisë shqiptare nuk mundëson dot shërbimet ndaj vendit dhe jo më të Kosovës. Ndaj kjo e fundit duhet të mendojë larg konflikteve të saj të brendshme, në forcimin e diplomacisë së vendit të vet sepse si të gjitha vendet e dobëta nuk e ka luksin e performancës së dobët, ashtu si po bën deri më tani.

Nëse përbri nuk do kishte suportin e diplomacisë së SHBA-së, Anglisë dhe pak vendeve të tjera potente perëndimore, Kosova do përballej me situata, që nuk do arrinte t’i kalonte dot, sepse fatkeqësisht shqiptarët e të dy vendeve sado bashkë të duhen, janë gjithnjë e më të ndarë prej politikave të elitave të tyre. Të paktën këtë e kanë treguar qoftë dhe me punët që kanë nisur bashkë dhe që mbesin rrugës ose më keq akoma bëhen thjesht për propagandë. (Javanews)

11/15/2017 12:06

Sqarohet përfundimisht pse Kastro Zizo nuk është më pjesë e Festivalit të RTSH-së