Lajme

Dështon seanca ndaj gjyqtarëve që të gjallin e shpallën të vdekur

09/13/2017 22:24
nga:D.I

Rrahim Bajrami, të mërkurën, në gjykatore kishte marrë me vete edhe vëllanë e tij, me shpresën që më në fund do të nisë gjykimi për ata që e kishin shpallur të vdekur.

Por si edhe 4 herët e kaluara, ai nga aty doli i pashpresë.

As sot nuk ia arriti të niste gjykimi fillestar kundër gjyqtarit Sami Gërdovci dhe avokatit Meriman Vehapi, të cilët në 2009-ën e kishin shpallur atë të vdekur, raporton KTV.

Trupi gjykues është ndërruar, tash lëndën e tij do ta gjykojë Valbona Musliu Selimaj.

Por edhe këtë seancë prokurori i shtetit mungoi e as të akuzuarit nuk ishin aty.

Pavarësisht që është seanca e pestë që Meriman Vehapi nuk i përgjigjet ftesës, gjyqtarja tha se nuk mund të lëshojë një urdhërarrest për të, pasi nuk është konfirmuar nëse i ka shkuar ftesa ose jo, e nisur më 8 gusht.

Në anën tjetër, avokati i paditësit, Ragip Zeneli, e quan të tmerrshëm të gjithë sistemin e drejtësisë dhe ka frikë se kjo shtyrje është e qëllimshme që lënda të parashkruhet.