Opinion

Daja dhe kalaja

07/17/2017 14:19
nga:Jehona Bajrami Gashi

Kur ishte pyetur nga gazetarët gjenerali serb Božidar Vučurević, i cili ishte përgjegjës për granatimin e qytetit historik Dubrovnikut- se a ndihej fajtor se po shkatërronte një perlë historike të mesdheut, ai ishte përgjigjur: Mos u shqetësoni, menjëherë pas luftës do ta ndërtojmë një qytet më të mirë dhe më të vjetër…

Se sa e vjetër është Kalaja e Vushtrrise flet vet fakti që ajo është ndërtuar gjatë shekullit të 7-të gjatë epokës bizantine. Burg, gjykatë, depo armësh e depo misri ishin vetëm disa nga rolet që kishte kjo Kala. Madje në një përshkrim të organizatës CHëB thuhet se në vitet 1955-1958 kalaja shfrytëzohej si kinema dhe restorant dhe në oborrin e brendshëm të saj ka qenë e vendosur një pllakë rrethore për kërcim-ballo.

A thua daja i kujt e kishte nën zotërim atëbotë kalanë që arriti ta shëndërroj në restaurant…? A duhet domosdoshmërisht që dajt t’a kenë kontrollin mbi gjërat e vlefshme? A thua cilit dajë u‘a kanë dhënë në shfrytëzim kalatë, kryetaret e Lisbones, Edinburgut, Leeds, Durhamit…etj

Se kalatë e kështjellat anë e kënd botës përdoren për aryse komerciale, nuk do të ishte lajm. Por se tek ne domosdoshmërisht daja e halla kanë përparësi kjo po që është lajm. Në Austri madje mund ta marrësh me qira komplet një kështjellë vecse dallimi qëndron se ata kanë shumë sosh, e ne i kemi të rralla e shumë të çmuara. Me dajtë dhe Vushtrrinë më lidhë edhe mua dicka, prejardhja. Meqë një gjysmë prejardhe e kam nga kjy vend (Vushtrri) e mbajë në mend kur isha e vogël dhe atë kohë i vetmi rekreacion në këtë qytet -si dhe në shumë të tjerë në Kosovë- ishte dalja në korzo. E tillë është edhe sot, korozja e qytetit e cila përshkohet rreth mureve të kalasë. Qasja e vetme që kishim ishin po këto mure ngase në atë kohë (vitet 1995-98) kalaja ishte e mbyllur.

Sa herë kaloja andej, i prekja po këto mure. Kur çoja kokën lart, më dukej se rendi i fundit i gurëve prekte qiellin. Pra për mua në atë kohë, nuk kishte kala më të madhe se kjo e Vushtrrisë… Kur u rrita, e kuptova se paska qenë çështje perspektive, mirëpo kuptova dicka tjetër… që rëndësia e kësaj kalaje, ishte shumë e madhe!

Ndonëse krejt vonë u restaurua deri në këtë nivel që të jetë e përdorshme, kalaja sot është ikona e këtij qyteti. E tillë ishte edhe ura e gurit që për mua në atë kohë identifikonte rrugën që çonte tek stacioni i autobusëve, por që mami gjithmonë më thoshte se kjo është ura pa lum… (ngase lumi kishte ndërruar rrjedhën). Edhe kjo e fundit para pak muajsh pati dëmtime serioze, u rrëzuan diku rreth 36 blloqe gurësh. Sot, mbase edhe kryetari i komunës dhe drejtori i IMK-së, kanë probleme përceptimi…

Kryetari Mulaku, ka mundur ta shpëtoj kalanë… Në anën e majt të kalasë, ka lokale afariste të cilat do të mund të shëndërroheshin në restaurante… madje kalaja ka edhe një oborr para hyrjes, edhe aty ka mundur t’i dedikohej një hapesirë restaurantit “të dajës”.

Gjendja fizike e monumenteve dhe objekteve të trashëgëmisë kulturore në vendin tonë, vec sa shkon e venitet dhe gjithnjë e më shumë po rrënohet. Trashëgëmija jonë kulturore po merr jetë njerëzish -rasti i Xhenetës, kur vitin e kaluar u shemb një shtëpi në pjesën historike të qytetit të Prizrenit-, e me këtë biografi ne synojmë Unescon. Kriteret e Unescos nuk mbështetën vetëm tek fakti se sa kemi qenë të kujdesshëm në ruajtjen e objekteve fetare të komunitetit tjetër, por aty rol të rëndesishëm kanë edhe objektet të cilat jo domosdoshmërisht janë fetare apo të mbrojtura përshkak të evitimit të ndonjë provokimi/konflikti ndaj palës tjetër.

Më shqetësuese më duket fakti që drejtoresha e kultures nuk ka asnjë koordinim me kryetarin e Komunës, ku përpos kupollës së komunës, shtëpi tjetër të përbashkët kanë edhe partinë, pra të dy i takojnë partisë së njejtë. Në arsyetimin e drejtoreshës Shpresa Rama, ajo thotë se revolta dhe mllefi i shtohet, për faktin se kjo kurthë ju bë gjatë kohës që ajo ishte në pushim mjekësor. Pra le ta imagjinojmë, Shpresa kthehet nga pushimi, dhe kupton se Instituti për mbrojtjen e monumenteve i ka dhënë në shfrytëzim kalanë një kompanie private, për të hapur një restaurant. Por jo vetëm kaq… si mund të ketë qenë Shpresa kaq e tradhëtuar, kur tashmë një vendim i tillë edhe është jetësuar, pra punimet vecse kanë nisur fizikisht. Nese ka qenë në pushim, a ka qenë në qytet drejtoresha e kultures? A është e mundur që nuk ka pasur asnjë debat paraprak në zyret e komunës, si arriti të merrej ky vendim pa asnjë kualifikim, qoftë edhe tender? Dhe thjeshtë, a nuk mundemi që objektet e monumentet me vlerë, t’i lëmë ashtu sic i kemi gjetur. Apo minimalisht “tu ndihmojme” e t’ua zgjasim jeten duke i restauruar? Paradokset s’kanë të ndalur, përderisa në Prizren kërkojnë rindërtimin e xhamisë së “Mahmud Pashes” në kalanë e Prizrenit, që supozohet se ishte ndërtuar pas vendosjes së trupave osmane, nga shekulli XV-XX, në anën tjetër në Prishtinë e kemi tashmë një xhami 614 vjecare (Xhamia e Gurit) e cila neglizhohet dhe është shëndrruar në strehë të huliganëve.

Distanca fizike në mes të kësaj xhamije dhe zyrës së drejtorit të Institutit për mbrojten e monumenteve është ceshtje metrash… Pra z. Gërguri do të duhej qe prioritet ta kishte përfundimin e punimeve në këtë xhami fillimisht. Kur jemi gjeografikisht këtu, pikërisht në këtë kënd të qytetit të Prishtinës, kemi edhe një restaurim të shëmtuar të hamamit, qe s’të lë përshtypje se mund t’i ketë takuar një epoke qe kemi lënë pas. Se bota historikisht është ballafaquar me demtimin e pasurisë së trashëgueshme kulturore qoftë nga fatkeqsitë natyrore apo atyre historike e njerëzore, është e vërtetë e pa mohuar. Madje fat të tillë kishte edhe Roma! Por sot, cdo turist impresionohet nga ajo që shoqëria dhe institucionet kanë investuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie. Madje se fundmi, krahas cmimeve te biletave, kanë vendosur edhe një taksë shtesë për cdo vizitor e cila ekskluzivisht i dedikohet mbrojtjes së trashëgëmisë.

Thënjen e gjeneralit , Božidar Vučurević, si duket më së miri po tenton ta jetësoj Shkupi. Pavarësisht se mund të ketë konteste historike, me shumë vende fqinje, qeveritë Maqedonase të viteve të fundit, me cdo kusht po mundohen ta ndërtojnë një Shkup “sa më të vjetër”. E kur jemi këtu, po e shfrytëzoj rastin të citoj një familjar timin, që kur u pyet se si i dukej Shkupi i ri, tha “si një kopsht zoologjik”.

Është imperative ndërhyrja e institucioneve përkatëse. Dhurata jonë me e mirë për gjeneratat e ardhshme, është përkujdesja që do të tregonim për trashëgëminë kulturore. Nëse në e vlerësojmë trashëgëminë tonë, atëherë atë do t’ua pasojmë gjeneratave të ardhshme…

Autorja është e diplomuar në Sociologji