Cult

‘Çmimi Kadare’, përzgjidhen finalistët

05/16/2017 18:26
nga:Gazeta Blic

Fituesi i çmimit “Kadare 2017” për letërsinë shqipe do të shpallet gjatë Ditëve të Razmës në fund të Majit mes 6 autorëve finalistë që u përzgjodhën dje nga juria.

Juria e çmimit “Kadare” në letërsi, një çmim prej 10 mijë euro që akordohet nga Instituti Europian Pashko me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, ka ngushtuar listën e konkurrentëve, dy javë para vendimit për fituesin.

Juria u mblodh dje, ku katër anëtarët e saj, Ylljet Aliçka, Mirela Oktrova, Ledia Dushi dhe Agim Baçi dhe kryetari i jurisë, shkrimtari Bashkim Shehu, në video-konferencë nga Spanja, pas diskutimeve dhe një votimi të fshehtë arritën të ngushtonin listën e finalistëve me 6 autorë nga 36 autorë që konkurruan këtë vit me dorëshkrimet e tyre.

Lista e autoreve dhe titujt e veprave mes të cilëve do të zgjidhet fituesi janë;

Musa Ramadani – Profeti nga Praga (roman)

Virion Graçi – 800 hapa larg Veneres (roman

Arben Kastrati – I dashuri unë (roman)

Mimoza Ahmeti – Tutori (roman)

Ardian Haxhaj – Vegim (roman)

Brajan Sukaj – Viti i Elefantit (roman)

Ledia Dushi, koordinatore e çmimit Kadare, duke folur mbi punën e jurisë dhe prurjet e këtij viti në konkurrim tha se “në fazën e parë u përzgjodhen 36 vepra nga të cilat 7 vepra ishin nga autore femra.

Pas votimit të fshehtë të jurisë u selektuan 6 autorë, disa prej tyre të njohur tashmë dhe autorë të rinj në letërsinë shqipe”.

Çmimi i madh do të shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës, që mbahen më 26-27 -28 maj.

Këtij evenimenti këtë vit i bashkangjitet edhe konferenca shkencore për letërsinë, me temë “Kujtesa dhe letërsia”, organizuar nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve për Publikun në UET./Mapo.al/

05/13/2017 12:10

Këta janë finalistët e the voice of albania 6