Sporti

“Çmendet” Presidenti i Skënderbeut, ja sa para ka ofruar nëse skuadra fiton përballë Dinamo Kievit

09/14/2017 12:14
nga:Y.K

Presidenti i korçarëve motivon ekipin me një shpërblim të majmë. Barazimi në Kiev do të vlente 50 mijë euro për skuadrën e Dajës

Jo pak, por 100 mijë euro do të vlente fitorja e Skënderbeut në fushën e Dinamos së Kievit sot në mbrëmje. Ky është shpërblimi i vënë nga presidenti Ardjan Takaj për të tijtë, nëse arrijnë të marrin 3 pikët në ndeshjen e parë në Grupin B.

Në fakt, duket diçka gati e pamundur, nëse kemi parasysh forcën e ukrainasve, të cilët janë kokë grupi dhe pretendentët kryesorë për të kaluar më tej, por po kaq i vështirë dukej edhe kualifikimi ndaj Dinamos së Zagrebit në “play-off”. Deri tani korçarët janë shpërblyer disa herë nga presidenti Takaj, për kualifikimet ndaj Mlada Boleslav dhe Dinamos së Zagrebit. Kujtojmë që kalimi i Skënderbeut në grupe solli shpërblimin prej 200 mijë eurosh për ekipin korçar, ndërkohë që Tefik Osmani vendosi ta ndante shpërblimin e tij me tifozët. Edhe këtë herë presidenti i korçarëve nuk është kursyer, por ka vënë këtë shifër të kënaqshme për fitoren në Kiev.

BARAZIMI – Nuk ka shpërblim vetëm për fitoren. Korçarët do të përfitojnë 50 mijë euro, nëse sot në mbrëmje arrijnë të marrin një pikë, pra të barazojnë. Edhe barazimi do të ishte një rezultat mjaft i mirë, duke qenë se luhet në transfertë dhe ndaj ekipit më të fortë në grup. Çdo rezultat pozitiv në ndeshjet në grup sjell përfitime financiare, ndaj dhe presidenti Takaj nuk është kursyer aspak në këtë drejtim. Pozitiv për Skënderbeun është fakti që nuk ka asnjë lloj presioni për rezultatin dhe kjo gjë mund ta ndihmojë për të marrë rezultate të mira në 6 ndeshjet e grupit, pse jo dhe që sot në Kiev.

09/14/2017 15:23

Bastoret nuk i dhanë fare gjasa Skënderbeut