Opinion

Buxheti 2017: Përgjegjësia ligjore dhe detyrimi moral

01/09/2017 18:59
nga:Prof. Dr. Arben Malaj* MSC. Faola Hodaj*

Buxheti 2017 do të implementohet nën ndikime politike. Gjatë 2017-s do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, do të zgjidhet Presidenti i vendit dhe shpresohet që vendi të fillojë negociatat për t’u bërë pjesë e BEsë. Temperatura elektorale pritet të ketë ndikimin e saj në zhvillimet ekonomike, sociale dhe në implementimin e buxhetit. Me këtë shkrim ne synojmë të ndajmë me ju analiza lidhur me risqet potenciale të implementimit të buxhetit 2017, të provojmë të ofrojmë disa opsione se si mund të minimizohen këto risqe dhe se si mund të krijohet kredibiliteti i nevojshëm publik lidhur me përgjegjshmërinë e menaxhimit të financave publike edhe gjatë viteve elektorale.

Në këtë analizë mbajmë parasysh faktin se procesi i hartimit, miratimit, implementimit dhe monitorimit të buxhetit përfshin Qeverinë, Parlamentin, opozitën dhe grupet e interesit, ku secili prej tyre ka mundësi të ofrojë kontribute pozitive. Ne ritheksojmë vendin dhe rolin e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare në përgjithësi dhe rolin specifik të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në veçanti. Kontributi i tyre rrit transparencën e miratimit të buxhetit, por sidomos cilësinë monitoruese mujore dhe progresive të zbatimit të buxhetit.

Me shumë rëndësi janë kontributet parandaluese që Kuvendi, opozita dhe shoqëria civile mund të sjellin në reduktimin e risqeve elektorale mbi buxhetin e vitit 2017. Qeveria në buxhetin e vitit 2017 ka përcaktuar dy objektiva kryesorë: (i) stabilitetin e financave publike dhe (ii) kohezionin social. (http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Buxheti/Programi_Buxhetor_Afatmesem_ne_Vite/PBA_2015-2017_finale.pdf)

Raportet shkak–pasojë midis rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike dhe anasjelltas janë në fokus të debateve politike dhe kërkimeve shkencore.

Rritja ekonomike ka një korrelacion pozitiv më të madh në arritjen e stabilitetit sesa stabiliteti në shërbim të rritjes, pasi në rastin e dytë efektin kundërciklik të politikave fiskale duhet ta kompensojnë reformat strukturore që çlirojnë dhe ushqejnë një rritje ekonomike më të lartë dhe më të drejtë në shpërndarjen e përfitimeve të saj. Duke mbajtur parasysh faktin që stabiliteti i financave publike në buxhetin afatmesëm bazohet kryesisht në shkurtimin e shpenzimeve publike, ka interes publik të diskutohet nëse duhen shtrënguar apo shkurtuar me këtë ritëm shpenzimet dhe, për më tepër, ato në sektorët bazikë të një rritjeje cilësore dhe afatgjatë.

Shkurtimi i shpenzimeve publike, sidomos i atyre joefektive, dhe përzgjedhja sa më profesionale e investimeve publike konsiderohet thelbi i paketave antikrizë që vënë në qendër të tyre rikthimin e stabilitetit të financave publike, kjo sepse; së pari, qeveritë përgjithësisht janë më pak eficiente se individët dhe biznesi dhe, së dyti, shpenzimet dhe investimet publike rrezikohen të përzgjidhen për interesa elektorale ose korruptive. Ndërsa struktura e të ardhurave buxhetore duhet të përmirësohet dhe barra e tyre duhet të ndahet më mirë midis taksimit të kapitalit, punës dhe konsumit.

Ekzistojnë studime që argumentojnë se çdo përqindje taksimi e shtuar mbi një nivel kritik sjell efekte negative në tri drejtime: (i)rënia e interesit privat për të investuar; (ii) rënia e interesit për punësim dhe (iii) rritja e ekonomisë informale. Pas krizës së 2008-s, studiuesit këshillojnë se taksa e kapitalit dhe punës janë me sensible se taksa e konsumit në raport me efektet e tyre në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, shpenzimet gjithmonë e më të mëdha dhe shpesh joproduktive sjellin borxhe në rritje, prandaj në çdo vend të rrezikuar nga kriza e borxheve sovrane, stabiliteti i financave publike vlerësohet prioriteti i qeverisjeve për periudha joafatshkurtra.

 

Objektivi i dytë e projektbuxhetit 2017 është promovimi dhe mbështetja buxhetore për kohezionin social. Shpesh, studiuesit i referohen kohezionit social si bërthama që i mban shoqëritë të integruara. Aktualisht, sfida më e madhe e Qeverisë, por jo vetëm e saj, lidhur me buxhetin e vitit 2017 është implementimi strikt i buxhetit dhe respektimi rigoroz i 5 rregullave fiskale të sanksionuara në ligjin organik të buxhetit (LOB_i_ri_nr.57_dt_02.06.2016 – version_integral). Kjo do të jetë sfida e tretë dhe shumë e rëndësishme, sepse ajo rrit kredibilitetin publik lidhur me menaxhimin e financave publike. Për të rritur kredibilitetin publik, Qeveria duhet të garantojë rritjen e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në çdo fazë të buxhetimeve afatmesme dhe vjetore.

Përgjegjësinë ligjore për zbatimin korrekt të kuadrit ligjor dhe rregullave specifike fiskale për menaxhimin e financave publike do ta ketë gjithmonë Qeveria dhe Parlamenti. Ndërsa detyrimin moral për të mbikëqyrur nga afër: (i) shpërndarjen e buxhetit sipas periudhave kohore para dhe pas zgjedhjeve; (ii) mbikëqyrjen e respektimit të tavaneve të shpenzimeve; (iii) mbikëqyrjen e respektimit të tavaneve të huamarrjeve, deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si edhe (iv) të rregullave fiskale, duhet ta plotësojnë sa më mirë opozita, biznesi dhe shoqëria civile.

Për këtë kërkohet që në hapat e parë të fillimit të procesit buxhetor 2017 të arrihet një mbikëqyrje/skanim dhe angazhim sa më profesional nga opozita dhe grupet e interesit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe në komisionet që mbulojnë ministritë, sidomos për të eliminuar riskun e keqpërdorimit të buxhetit gjatë periudhës parazgjedhore. Kontributi i tyre mund të jetë më i plotë edhe për projeksionet makroekonomike afatgjata dhe buxhetet afatmesme, për të verifikuar dhe mbështetur financimin e prioriteteve të strategjisë kombëtare, sektoriale dhe rajonale, si edhe për të verifikuar harmonizimin e buxhetit vjetor me prioritetet e buxheteve afatmesëm.

Projektbuxheti i secilit vit mund të përmirësohet nga propozimet alternative gjatë diskutimit të tij në komisionet parlamentare nëpërmjet krijimit të akseve për të diskutuar për vërejtjet dhe propozimet përmirësuese të bëra nga opozita dhe grupet e interesit, kur ato janë profesionale dhe jopopuliste. Detyrat kryesore të Parlamentit janë rritja e transparencës dhe aksesit te qytetarët nëpërmjet debatimit të draftbuxhetit lidhur me objektivat e rinj fiskalë, si dhe propozimi i shpenzimeve tavan.

Sipas indeksit të hapjes së buxhetit (http://www.internationalbudget.org/wp-content/uploads/OBS2015-CS-Albania-English.pdf), pjesa e buxhetit të qytetarëve konsiderohet e dobët në detyrimin për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në çdo fazë të hartimit, implementimit, monitorimit dhe auditimit të buxheteve afatmesme dhe vjetore. Nëse të tria institucionet e një demokracie funksionale; Parlamenti, Qeveria dhe Opozita; do të bëjnë mirë detyrën e tyre në raport me zbatimin rigoroz të parimeve të hartimit, miratimit dhe auditimit të buxhetit, ato mund t’i bëjnë një shërbim të mirë vendit të tyre, duke rritur eficiencën e përdorimit të parave të taksapaguesve shqiptarë, duke e monitoruar me kujdes profesional dhe me sa më pak zhurmë populiste implementimin mujor e progresiv të buxhetit 2017.

Shërbimi më i madh do të jetë rritja e kredibilitetit të politikës lidhur me përgjegjësinë e përbashkët, sipas roleve respektive, për ta mbrojtur ekonominë tonë nga populizmi dhe për ta mbrojtur qëndrueshmërinë e buxhetit nga risku i presioneve elektorale. Qeveria, nëpërmjet përfshirjes në menaxhimin e buxhetit të disa rregullave fiskale, e ka “lehtësuar” mbikëqyrjen profesionale të buxhetit. Sfida është sa ajo do t’i zbatojë këto rregulla; se sa i shpejtë, sa i saktë, dhe sa i thjeshtë do të jetë informacioni mujor dhe progresiv i të dhënave statistikore mujore dhe progresive të të ardhurave, shpenzimeve, investimeve dhe deficitit të buxhetit 2017.

Përgjegjësia ligjore për implementimin korrekt të buxhetit i mbetet Qeverisë dhe Parlamentit, por përgjegjësia morale për të ndalur çdo keqpërdorim të tij i mbetet opozitës dhe grupeve të interesit, gjë që duhet bërë me sa më shumë përgjegjshmëri morale dhe me sa më pak populizëm pragmatik. Kredibiliteti i fituar nga oponenca profesionale ndaj buxhetit është shumë më i dobishëm edhe politikisht se çdo qëndrim bllokues apo populist.

*Rektor i Universitetit “Luarasi”

*Lektore në Fakultetin Ekonomik të “Luarasit”.

12/12/2017 16:34

Gashi: Buxheti për vitin 2018, krijon stabilitet financiar