Opinion

Besim Hoti, kandidati i vonë

10/01/2017 20:00
nga:Labinot Krasniqi

Besim Hoti, ky është kandidati LDK-së për kryetar të Klinës. Kur shkruajmë për LDK-në, e kam një përshtypje që kritikat janë me të mëdha, mendoj duhet të jenë sepse është ndër partitë me të vjetëra dhe pritja tek kjo parti është me e madhe.

Unë, në komunikimet e mia me miq them, secila parti në Klinë mund t´i ofrohet PDK-së, të shkoj në balotazh, por asnjëra nuk do ta mund qeverisjen aktuale. Është LDK, ajo që mund të fitoj. Por, u bë kohë e gjatë që LDK nuk po ec në tempon e duhur, nuk po ec karrshi kërkesave të publikut. Pse? Sepse, po levizin ngadal dhe, ndoshta, vetë koha e kandidimit të Besim Hotit tregon shumë çka..

Po bëhen 10 vite që kur LDK ka humbur pushtetin në Klinë, gjatë kohës së qeverisjes së LDK-së, ka qenë krejt një periudhë tjetër, në fillim goxha kompetenca kanë qenë tek administratorët e UNMIK-ut, po ashtu edhe buxheti ka qenë jashtëzakonisht i ulët, sidomos për investime kapitale. Derisa, emergjenca, ndërtimi dhe ri-ndërtimi, ka qenë qëllim kryesor. Me sigurimin e kulmit, qytetarët nisën të kërkojnë kushte me të mira për jetë, rrugë, ujësjellës, kanalizime, etj. Vrasja e kryetarit të Komunës, Ismet Rracit, është histori në vete që ka pasur ndikim në rrugëtimin e LDK-së. Mundësitë e kufizuara për investime, kërkesat e mëdha, organizimi i partive opozitare bënin një trekëndësh, që sillnin dobësimin e LDK-së, derisa kulmi ishte me ndarjen dhe krijimin e LDD-së. Kjo sjelli PDK-në në pushtet, e kjo e fundit udhëheq deri me sot. Shumë kush e thotë që është për fajin e LDK-së sepse kishte një masë vetëkënaqësie dhe vetëbesimi të tepruar. Edhe sot, kur qytetarët kritikojnë LDK-në për mos investime, nuk del dikush që të flet me shifra konkrete dhe të argumentoj kohën, duke e lidhur me kohen e sotme dhe mundësitë tjera me ato të sotme. Nuk e bënë kush, edhe pse një pjesë e madhe e asaj strukture janë edhe me tej aktiv në degën e LDK-së.

Kur them që LDK është ajo që mund të fitoj zgjedhjet, e them, meqë në dy palë zgjedhjet e fundit, AAK ka dal ne balotazh, por kaq ishte. I them, sepse, LDK ka një histori funksionimi, ka strukturë të shtrirë në gjithë territorin, ka informacionet e funksionimit të organeve lokale, po ashtu ka informacionin e qeverisjes së Bashotës. Por, nuk i kanë dy gjëra, Ibrahim Rugoven gjallë, por nuk e kanë edhe hapjen e mirëfillt të partisë për kaudrin e ri, jo vetëm nga mosha, meqë në listën për Kuvend ka një numër të konsiderueshëm të rinjsh.

Në LDK, në zgjedhjet e kaluara është vërejtur një ndarje ndërmjet grupeve, angazhimi i njërit grup është i vogël kur me degë udhëheq grupi tjetër. Në opinion flitet për një mbyllje dhe mos ri-nim i partisë me të rinj dhe kaudro profesionale. Por, është edhe një gjë, angazhimi i kuadrove profesionale në një parti opozitare në lokalitete të vogla ku mundësitë janë të vogla është goxha sfiduese për vetë partinë, meqë partia në pushtet i ka të gjitha mundësitë e shpërblimit. Disa të tjerë flasin për një opozitarizëm jo të zëshëm të LDK-së, unë them që ky subjekt ka zhvilluar një opozitarizëm institucional, brenda Kuvendit, madje një nga këshilltarët e këtij subjekti, me saktë kryetari i degës, Fadil Gashi, është një nga këshilltarët me aktiv dhe përvoja e tij bënë diferencën. Gjatë gjithë mandatit, edhe pse si parti opozitare, komunikimin me publikun e kishte të vogel, temat e diskutuara në Kuvend nuk i ka nxjerrë jashtë dhe nuk ka pasur alternativë qeverisese për të pasur me të lehtë angazhimin e sotëm. Andaj, ky subjekt në dy palë zgjedhjet e fundit ka dal subjekti i tretë politik.

Derisa monitoroja fushatat e kaluara elektorale dhe punoja në media shihja nga afër edhe funksionimin e LDK-së, që kthehen në realitete të cilat mund të jen mësim për ta. Në vitin 2007, kur punoja si gazetarë, shihja levizjet që po ndodhnin dhe pyesja në formë konstatimi disa nga anëtarët e LDK-së (të cilët sot pak duken në Klinë ose janë rehatuar me punë dhe janë pasiv në parti), së gjëndja është duke ndryshuar, të kthenin me fjalët: ´´Kush tjetër, o Labi, Amerika dhe Evropa nuk don tjerë në qeverisje´´. Derisa një pjesë e antarëve u bënë pasiv, një pjesë tjetër ishte aktiv, por asnjë rezultat meqë mosha e bënte të veten dhe nuk kishin energjinë e përshtatjes me kohen, madje një pjesë të krijonin përshtypjen që me shumë punojnë për të tjerët se sa për subjektin që i përkasin, etj. Energji e plogshtë dukej! Po ashtu, niveli qendror i LDK-së, vërehej që nuk kishin shumë interes mbështetjen për Klinë, duke shkuar në Pejë ndalëshin për pak minuta dhe me goxha komunikim distance e pa informacion për Klinën, vazhdonin bënin punën e madhe në Pejë apo Istog. LDK, ajo pjesë që punonin me të vërtetë, kisha një përshtypje që po mbesin sikur jetim në momente kur Hashimi apo Ramushi, shkelnin shpesh territorin e Komunës së Klinës.

Vota, që tradicionalisht, i ka takuar LDK-së, nisi të zhbëhej. Edhe sot, nuk ka plan konkret, nuk ka bashkëdyzim gjeneratash për të kthyer votën, por edhe marrë votë të re. Kur secili mendonte, që pas zgjedhjeve të 2013-së, LDK do të këndellet, shumë heret do të dalë me një kandidat për kryetar dhe kështu në vitin 2017 të ketë një kandidat të rryer me punë publike komunale, ndodhi e kundërta. Përmendëshin emra, që dikur kanë qenë kryetar apo kandidat, përmendëshin emra nga fusha e arsimit, e qytetit, brenda kryesisë e jashtë kryesisë, por duket që një numër i madh i tyre sikur i kanë refuzuar.

Kur jam tek angazhimi, sipas asaj që unë kam parë nga jashtë, që një pjesë e madhe e kryesisë kishin angazhimin zero, një pjesë angazhim minimal, një pjesë vetëm për vete, goxha angazhim shihej nga Besim Hoti, tashmë kandidat për kryetar. Shihej me aktiv ne komunikim me publikun, edhe pse shpesh shkruante në frymen me ekstreme, duke akuzuar pa adresë për vrasjet politike të pasluftës. Madje, jo rrallë ka ndarë me publikun fotografi me vrasjet e pasluftës së antarëve të LDK-së dhe të krijon përshtypjen e një fryme të formë kundër qeverisjes lokale. Hoti, që duket është një njëri i qetë, puna e tij, e ka ngritur gradualisht edhe në parti, që aktualisht ushtron funksionin e sekretarit. Me profesion është arsimtar i gjuhes angleze në fshatin Jashanicë, aty ku jeton.

Të pyesësh apo dëgjosh të tjerët duke folur për të, thonë që është njeri i mirë, po ashtu familje e mirë dhe puntor i zëllshëm. Por, ajo që vërehet në ketë kohë është caktimi i vonë i kandidaturës së tij, vërehët që ka mungesë informacioni dhe përgjigje pa emocione për shumë çështje. Kandidimi i vonë i tij e bënë të vështirë njohjen dhe prezantimin e tij në gjithë territorin dhe para secilit qytetarë të Komunës së Klinës.

Hoti, sipas të dhënave në KQZ del të ketë qenë në listat zgjedhore për Kuvend edhe në vitin 2007, kohë në të cilën kishte marrë 195 vota.

Mendoj që, Hoti, është kandidati i cili duhet dyfish të punoj, duhet të shfaqet si njëri që do të sjellë enërgji tjetër, të bëjë diferencën edhe nga bashkëpartiakët, meqë secili kundërkandidat i tij, në vitet e fundit ka qenë në një apo formë tjetër më në kontakt me publikun, përmes të qenit në Kuvend apo vendimeve të me hershme të subjekteve politike për kandidaturat. Sikur te caktohej me heret, Hoti do qartësonte secilin (mos)invsetim të LDK-së në kohë të ndryshme, do të kishte një fushatë mediale apo edhe të rrjeteve sociale, do të prezantonte e paraqiste qëndrime shumë me herët për çështjë të ndryshme publike, do të kishte ekip pune, ndoshta edhe do të arrinte të aktivizonte secilin anëtar të LDK-së, po ashtu të paraqiste planin e vetë qeverisës. Duke pasur parasysh këto gjëra, me bënë të mendoj edhe me tej që është vendim paksa i vonë. Por, mbetet të shihet, së pari numrin e votave që do të sjellë për LDK-në nga zona prej nga vjen, që do të ishte votë që nga viti 2007 me një diferencë të madhe i ka takuar PDK-së.