Opinion

Ballkani Perëndimor përballë integrimit euroatlantik

04/20/2017 14:23
nga:Arben Malaj & Valmir Gashi

“Në qoftë se shtetet evropiane do ta rikrijojnë vetveten duke u bazuar në sovranitetin kombëtar, si një rrugë për të synuar prestigj politik dhe proteksionizëm ekonomik nuk do të ketë paqe në Evropë” – Jean Monnet, 1943

Liderët politikë të BE-së dhe të SHBA-së si dhe ekspertët e analizave gjeopolitike ngrehin shqetësime lidhur me zhvillimet politike në Ballkan. E ardhmja evropiane tentohet të pengohet nga disa faktorë politikë aktivë në Ballkan.

Analiza e situatës konkrete dhe risqeve potenciale të vendeve të Ballkanit Perëndimor qartëson rrënjët e krizave të tyre, dështime për implementimin e reformave strukturore lidhur me shtetin ligjor si pengesat reale në proceset integruese euro-atlantike. Më konkretisht; Maqedonia po përjeton ndoshta njërën prej krizave politike më të gjatë dhe më të vështirë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Një pjesë e lidershipit politik të saj kërkon ta fshehë keqqeverisjen e vendit duke kërcënuar risqet me ndikimin në rritje të shqiptarëve. Shqiptarët kanë vërtetuar se nuk janë faktorë krize, por kanë kontribuar pozitivisht për sfidat e Maqedonisë.

Lidershipi politik, por jo vetëm ai, në qoftë se do t’i analizoj me kujdes treguesit demografikë të vendit të tyre http://worldpopulationreview.com/countries/macedonia-population/ nuk mund ta mohojmë trendin në rritje që do të kenë shqiptarët në strukturën demografike, zhvillimet sociale dhe politike në të ardhmen e Maqedonisë. Kur pesha e një etnie rritet në jetën politike të një vendi, ka vetëm një rrugë për zhvillim harmonik dhe pa kriza të tij, kjo është rritja dhe zgjerimi i lirive ekonomike, politike e njerëzore të këtyre etnive, reduktimi i diferencimit të zhvillimit ekonomik e social midis etnive të ndryshme.

Maqedonia nuk ka asnjë mënyrë për ta ndalur këtë diferencë të ritmeve të rritjes demografike midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Rrugët që prodhojnë kriza janë: nxitja e shpërnguljes së tyre me masa represive, reduktimi i lindjeve ose manipulimi i statistikave zyrtare. Me kalimin e viteve diferencat numerike rriten dhe asnjëra prej këtyre mënyrave nuk mund të aplikohet.

E dyta, të gjitha studimet e pavarura argumentojnë se ka disa nivele zhvillimi midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Lidershipi politik në Maqedoni mund ta shikojë këtë si mundësi zhvillimi duke i rritur investimet publike, investimet e donatorëve dhe lehtësimin e investimeve private në zonat e banuara nga shqiptarët.

Nacionalizmi i sëmurë mund të shërbejë vetëm për mbijetesë politike. Vetëm zbatimi kritereve të Kopenhagenit, vetëm aplikimi i politikave integruese, vetëm integrimi drejt BE-së mund të krijojë mundësi reale për një zhvillim harmonik dhe pa kriza etnike e sociale. Fakti që një pjesë e rëndësishme dhe e konsiderueshme e popullsisë është më pak e zhvilluar se pjesa tjetër nga ekonomistët shikohet si një burim zhvillimi, sepse në ekonomi vepron ligji i konvergjencës që vendet apo zonat me nivele të ulëta zhvillimi kanë potenciale për t’u zhvilluar me ritme më të larta sesa pjesa e zhvilluar.

Ta lirosh energjinë e penguar të zhvillimit të një të tretës së vendit tënd është mënyra më e mirë për ta krijuar efektin “spill-over” mbi ekonominë në tërësi. Një vizion i tillë do t’i rritë ritmet e rritjes ekonomike, do të krijojë punësim më të lartë, papunësi më të ulët dhe zhvillim harmonik të qëndrueshëm.

Serbia – Pavarësisht temperaturës së lartë politike për shkak të zgjedhjeve politike  shpresohet se forcat proevropiane do të jenë fituese. Angazhimi proevropian i Serbisë krijon efekte pozitive edhe për rajonin në tërësi. Respekti i vizionit të Konferencës së Berlinit, bashkëpunimi për projekte me efekte rajonale, krijimi i një tregu unik, eliminimi i luftërave tregtare do të krijojnë premisë pozitive që Serbia të jetë një kontribuuese e sinqertë dhe efektive në projektet rajonale dhe në integrimin evropian.

Mali i Zi – Inspirimi proevropian dhe angazhimi për t’u bërë vend anëtar i NATO-s krijojnë një bazë efektive për të ardhmen e saj evropiane dhe për rritjen e kontributit të Malit të Zi për paqen në rajonin tonë. Anëtarësimi në NATO do ta eliminojë çdo risk mbi sigurinë e Malit të Zi dhe njëkohësisht do t’i rritë garancitë për investimet private vendase dhe të huaja, duke konsoliduar paqen e arritur me rritjen e mirëqenies.

Bosnje & Hercegovina – Situata në Bosnjë është shumë më komplekse. Shenjë e mirë është aspirata e saj në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, duke kontribuar për sigurinë dhe paqen në Ballkan. Bosnja përballet me problemet e saj të përhershme të brendshme dhe të karakterit gjeopolitik. Serbët në Bosnje-Hercegovinë kohë më parë kërkonin edhe mbajtjen e një referendumi për shkëputje nga Bosnja, kur është e qartë se referendumi është i ndaluar me kushtetutën e Bosnje – Hercegovinës. Nga shtetet e formuara pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, edhe Bosnje e Hercegovina nuk e njeh Kosovën e pavarur, kryesisht për shkak të pozicionit që ka Republika Serbe e Bosnjës.

Kosova – Qytetarët e saj janë ndër më proevropianët nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por Kosova është vendi më larg në proceset integruese. Kosova është vendi i vetëm, të cilës ende nuk i është dhënë deri sot liberalizimi i vizave.

Kriza politike në Kosovë është e lidhur ngushtë me marrëveshjet ndërkombëtare të saj, ajo për Demarkacionin dhe Marrëveshja për Asociacionin, marrëveshje që jo rrallë herë e kanë përplasur pozitën me opozitën, dhe së fundmi ishte iniciativa e presidentit për Ushtrinë e Kosovës, gjë të cilën partnerët strategjikë të Kosovës e kanë quajtur si iniciativë të ngutshme dhe të parakohshme. Tërheqja publike e presidentit Thaçi nga kërkesa e tij e kushtëzuar, harmonizimi me kryetarin e Kuvendit tregon maturim dhe përgjegjësi të autoriteteve kushtetuese të Kosovës.

Pavarësisht nga debatet e ashpra dhe zhvillimet e rënda politike në Parlamentin e Kosovës, forcat proevropiane do të jenë dominuese në zhvillimet e ardhshme.  Partneriteti strategjik me SHBA-në dhe me BE-në e bën të detyrueshëm harmonizimin për hapat e domosdoshme të plotësimit të institucioneve shtetformuese të Kosovës. Kosova do të vazhdojë të jetë një faktor paqeje dhe lehtësimi të bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria dhe BE-ja.

Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk rrezikohet nga konflikte etnike apo fetare dhe as nga tendenca nacionaliste. Kjo e lehtëson të ardhmen e saj euro-atlantike edhe përball influencave në rritje të konkurrimeve gjeopolitike në Ballkan.

Por ndërsa Shqipëria ka avantazhe të qarta krahasuar me vendet e tjera të rajonit, kriza aktuale politike dhe vonesat e përsëritura ndaj reformave kritike për funksionimin e shtetit ligjor, materializuar dhe në vonesat e miratimit dhe implementimit të Reformës në Drejtësi, vendi rrezikohet nga populizmi. Dëmi efektiv i rritjes së populizmit është i konsiderueshëm, pasi populizmi ka si objektiv kryesor mbijetesën politike të palëve konkurruese, populizmi deformon dhe pengon reformat kryesore të gjallërimit ekonomik. Në rastet kur populistët bëhen fitues, bëjnë hapa pas ose krijojnë vonesa në kohë për reformat strukturore të cilat kanë kosto sociale, por janë të detyrueshme për ta mbështetur të ardhmen që duhet të bazohet tek rritja e të ardhurave reale dhe zbutja e krizave sociale.

Pavarësisht krizës së tejzgjatur politike në vend, duke u bazuar në mesazhet por edhe në realitetet historike të BE-së, modeli i saj imponon dorëzim sovraniteti të të gjitha palëve në shërbim të një misioni fisnik, mbrojtjes së paqes dhe garantimit të një prosperiteti në rritje.

Shqiptarët e kanë të ardhmen e tyre jo drejt një Shqipërie të madhe, por drejt një evropianizmi të madh në kulturën tonë shoqërore dhe politike. Perspektiva euro-atlantike është mundësia më e mirë dhe garancia më e madhe për t’i përballuar sfidat e ndikimeve gjeopolitike, ku qëndrueshmëria politike dhe përparimi  ekonomik do të jenë garanci reale. (Prof. Dr. Arben Malaj është Rektor i Luarasit kurse Msc. Valmir Gashi është Master në Studimet Evropiane – Universiteti i Tiranës)

10/12/2017 18:04

Flasin nga Ministria e Arsimit: Ja kur do të emërohet bordi i ri i Agjencisë së Kosovës për Akreditim!