Opinion

Ballkani “derë e thyer“

05/19/2017 16:19
nga:DW

Nëse Perëndimi ende vazhdon t‘i kthejë shpinën Ballkanit, vendet e rajonit rrezikojnë të zgjedhin alternativa të tjera, paralajmëron diplomati Hoyt Yee.

Të mërkurën në Capitol Hill u mbajt një seancë e posaçme dëgjimore me temën “Ballkani: Kërcënimet ndaj paqes dhe stabilitetit”. Ndihmëssekretari i SHBA-së Hoyt Yee shprehu mendimet e tij lidhur me çështjen e Ballkanit. Seanca drejtohej nga Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Dana Rohbacher dhe anëtarët e nënkomitetit. Po ashtu në mbledhjen e së mërkurës ishte i pranishëm edhe nënkryetari i këtij Komisioni dhe njohësi i mirë i çështjes shqiptare në Ballkan, Eliot Engel.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike shprehën shqetësimin e tyre për shkurtimin e buxhetit për Departamentin e Punëve të Jashtme si dhe ngritën pyetje rreth strategjisë së veprimit në Ballkan nga qeveria e Donald Trump-it. Hoyt Yee e siguroi komitetin se të gjitha hapat e marra nga ky department janë të koordinuara më parë me Presidentin Trump dhe tha që strategjia e SHBA-së për Ballkanin mbetet e njëjtë pa marrë parasysh administratën qeverisëse.

“Në të gjithë rajonin po rritet nacionalizmi dhe retorika e politikanëve gjithnjë e më shumë është përçarëse. Edhe pse Ballkani nuk e dominon skenën ndërkombëtare si më parë, rajoni ende përballet me sfida të mëdha dhe derisa këto të mbesin të hapura, rrezikojnë interesat e SHBA-së në Europë”, tha Hoyt Brian Yee gjatë prezantimit të tij para nënkomitetit për Punë të Jashtme të Kongresit.

Largimi i rinisë nga vendet e Ballkanit shihet si problem kyç nga diplomati amerikan. “Të rinjtë që jetojnë në vendet e tyre dhe nuk arrijnë dot të largohen  bien nga pamundësia finaciare nën ndikimin e grupeve ekstremiste si ISIS. Po ashtu edhe ndikimet e Rusisë në Ballkan janë shqetësuese si në rastin kur mbështesnin lëvizjet pro ruse në Mal të Zi dhe pro bllokimit të integrimit të Kosovës në OKB”.

Hoyt Yee mendon se nëse nuk merren tani masat e nevojshme që rajoni të vazhdojë rrugën drejt integrimeve euro-atlantike, atëhere do të nxiten konflikte që me siguri do të prekin edhe interesat e SHBA-së.

Zhvillimi i Kosovës drejt integrimeve, reformat juridike në Shqipëri dhe konfliktet politike në Maqedoni

Yee thotë që diplomacia amerikane fuqishëm ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, ky proces mbetet i domosdoshëm për stabilitetin rajonal dhe është në interes të të dy vendeve drejt rrugës së tyre për integrimet europiane. I pyetur gjatë seancës dëgjimore nga Eliot Engel për mbështetjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës, diplomati amerikan tha që ushtria duhet formuar hap pas hapi dhe në pajtim me ligjet e vendit, që të mos krijohen tensione të reja në rajon. Hoyt Yee ndan mendimin që Kosova dhe Serbia duhet përfundimisht të dënojë masakrat gjatë luftës dhe kjo temë të mbyllet në interes të të dy vendeve.

Për Shqipërinë, Hoyt Yee thekson se me ndihmën e SHBA-ve veçse kanë filluar reformat në drejtësi, që do të forcojnë të drejtat ligjore dhe do të çlirojë institucionet nga korrupsioni. Ai gjithashtu potencoi se sa i rëndësishëm është dialogu midis partive më të mëdha të vendit.

Në deklaratën e tij, ai dënoi ashpër dhunën në Paralamentin e Maqedonisë dhe theksoi se autoritetet duhet sa më parë të zbardhin rastin, dhe të nxirren para drejtësis të gjithë ata që fizikisht abuzuan deputetët e zgjedhur nga populli. Po ashtu ai fajësoi Presidentin Ivanov, që u vonua me dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re. Në seancën dëgjimore ishte i pranishëm edhe Sekretrari i partisë LRPDSH – Arben Taravari. Ajo që u vërejt ishte vendosja e pllakatave që dënonin dhunën e 27 prillit në Maqedoni, si dhe fotografia e Zijadin Selës pas sulmit që ndodhi në parlamentin e Maqedonisë.

Planet e SHBA-së për Ballkanin dhe ndikimi i Sorosit

Njëzëshëm në takim u fol për rëndësinë strategjike që ka Ballkani në politikën e jashtme të SHBA-së . Lidhur me sigurinë kur bëhet fjalë për ndjekjen dhe ndërprerjen e veprimtarisë terroriste, ne vazhdojmë të kemi partnerë të fortë në të gjithë Ballkanin dhe ata kanë nevojë për mbështetjen tonë. Bashkëpunimi i shkëlqyeshëm rajonal me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën parandaloi përpjekjet të një sulmi gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në Shkodër në nëntorin e kaluar.”

Diplomati amerikan tregon edhe planin se si do të veprohet për t’ju kundërpërgjigjur Rusisë, që është duke investuar për rritjen e influencës në Ballkan. “Aktualisht Ballkani Perëndimor është plotësisht i varur nga Rusia për gazin natyror. Duke mbështetur projekte që vendet e Ballkanit të kenë mundësinë të importojnë gaz nga më shumë burime do të zvogëlohen ndikimet Ruse atje”.  Mbështetja e mediave të pavarura  që të mund të përballohen mekanizmat propaganduese të Rusisë, do jetë edhe një objektiv tjetër i planeve të SHBA-së në Ballkan.

Hoyt Yee ka bërë të qartë edhe një herë që fondacioni Soros është një nga shumë organizata që SHBA i ka mbështetur. Spekulimet se SHBA-të interesat e tyre i pëcjellin me ndihmën e organizatave si ajo e Sorosit ai i hodhi poshtë ashpër duke bërë të qartë se “organizatat si Sorosi tentojnë me vetëinciativë të bëhen pjesë e politikës që ndjek SHBA-ja në Ballkan”.

Hoyt Yee në fund potencon edhe një herë se “rajoni në tërësi është ekonomikisht i dobët dhe politikisht i paqëndrueshëm. Pa ndihmën tonë dhe të Bashkimit Europian në proceset e reformave, ka rrezik konkret për konflikte të reja”.

Seanca dëgjimore u mbyll nga Dana Rohnbacher, që shprehu shqetësimin për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe shprehu gatishmërinë për takime të tjera për këtë çështje. Fjalët e fundit të seancës të zotit Rohnbacher ishin: “Ballkani mbetet derë e thyer, ku të gjitha anët politike tentojnë të rrisin influencën e tyre”.

 

07/13/2017 11:35

Asnjë arsye t’i rrahim shpatullat njëri-tjetrit