Cult

Bajraktari: Nevojitet implementimi i politikave afatgjate për librin

04/21/2017 16:35
nga:M H

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, të premten ka organizuar një veprimtari kulturore për Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtës së Autorit, e cila festohet më 23 prill.

Udhëheqësja e Departamentit të Arsimimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ramize Bajraktari, theksoi nevojën e hartimit dhe të implementimit të politikave të qarta dhe afatgjata për librin nga qeverisja lokale e qendrore si dhe nga institucionet që merren me arsim, shkencë, dhe kulturë.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, kërkoi angazhimin e institucioneve dhe mediave në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e librit.

Në emër të shkrimtarëve, Adem Gashi, foli për lidhjen e librit me qytetërimin, duke përmendur diturinë, artin, kulturën, moralin dhe religjionin, si përbërës të librit.

Në këtë veprimtari Ajete Zogaj, Rudina Tahiraj, Rozafa Tahiraj dhe Gresë Maliqi, interpretuan disa pjesë nga krijimtaria letrare shqipe e Arif Demollit dhe e Dritëro Agollit, si dhe nga letërsia e huaj – nga vepra letrare e Uilliam Shekspirit dhe e Miguel de Servantesit.

Veprimtaria për Ditën Botërore të Librit është mbyllur me dhënien e librave dhuratë për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës, për lexuesit e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, si dhe për studentë të Universitetit të Prishtinës – lexues në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

04/29/2017 08:29

Inspektorati merr vendim për anulim të konkursit për mjek specialist, MSH nuk bindet