Ateizmi i sajuar i Fan Nolit

Nga: Ledi Shamku-Shkreli 9 January 2017, 19:02

Ateizmi i sajuar i Fan Nolit

Përvjetorë njerëzish të shquar qëllon të bëhen shtysë për t’i plotësuar figurat e tyre me dokumente të reja arkivore, të panjohura. Kështu dje, më rastin e ditëlindjes së Fan Nolit, u botua një letër e tij e vitit 1906, drejtuar Athanas Tashkos. Për cilindo që nuk e ka lexuar, po e sjell këtu më poshtë letrën e plotë:
“Jamestown, 9 korrik/06
Harçë në këtë qytet, që mban nja dy orë e gjysmë nga Buffaloja, për ca punë të Shqipërisë. Ka gjer 200-300 shqiptarë, nga të cilët vetëm 50 janë brënda në Shoqërit. Pun’ e të njojturit mbarohet brenda nër dy javë më shumë. E mori përsipër një avokat nga më të mirët. Pres letër dhe të rea nga ana juaj. Punonj në një fabrikë. Perëndisë që s’e mbesonj, i-arthtë keq.
Th. Mavromati”

[Letër e Fan Nolit për Athanas Tashkon. Marrë në: “Athanas Tashko (1863-1915)”, Eno Koço, Tiranë, 2015, fq. 346. Referenca arkivore e letrës: AQSh, F. Athanas Tashko, D. 20, V. 1906, fl. 9].

Kjo letër hapi një debat jo të vogël, i cili u zhvillua i gjithi rreth pyetjes: A është Fan Noli ateist? Afërmendsh tingëllon e pagjasë të pyetet nëse një prift mund të jetë ateist, por pyetja mori shkas nga një shprehje e tij, të cilën po e shkëpus dhe risjell në vëmendje: “Perëndisë që s’e mbesonj, i-arthtë keq”. Fjala “s’e mbesonj” qe barazuar me shqipen e sotme “s’e besoj”, dhe së këndejmi edhe pyetja, edhe debati.

Pa dashur t’i hyjmë ekskursit teologjik të mirënjohur të Fan Nolit e as klerikalizmit të tij, po përqendrohemi te kjo fjalë “mbesonj”. Gabimi që bëhet rëndom në punët e gjuhës është të lexuarit e fjalëve të dikurshme me mjetet e sotme, pa vështruar në diakroninë e këtyre fjalëve. Njëfarë lectio fatilior, thënë ndryshe, por brenda të njëjtit brumë gjuhësor shqip.

Fjala “mbesonj” 110-vjecare e Fan Nolit dhe e koinesë së tij toskë nuk njëjtësohet dhe as ka lidhje me fjalën “besoj” të ditëve tona. Duke iu referuar Fjalorit Etimologjik të Meyerit, shohim te lema “mësonj”: mpsonj, psonj – ‘arsimoj, këshilloj, qortoj, nxë’. Në shqip u formua më parë ‘mbëtsonj’.
Toskërishtja shquhet për ruajtjen e togut “mb” aty ku gegërishtja më pas edhe e ka humbur. Matranga shkruan “E mbsuame e krështerë”, e madje edhe Buzuku gegë shkruan “mbesuom ashtu qishdo të lidhuna”. Pra, “mbesonj” e Nolit lidhet me fjalën e sotme “mësoj” e jo me “besoj”.

E sa i takon fushës semantike të kësaj fjale, sikundër e hasim qysh te shpjegimi i Meyerit, e më pas edhe në fjalorët e tjerë të shqipes, fjala “mësoj” ka në kuptimet e veta edhe “qortoj, këshilloj”. Kësisoj po të duam ta rilexojmë fjalinë e letrës së Nolit me gjuhën e sotme, do të thoshim: “Perëndisë që s’e qortoj, i ardhtë keq për mua”. Pas këtij sqarimi them se nuk ka më vend për të dyshuar në “ateizmin” e Fan Nolit. Bariu i mirë dhe lëvruesi i mahnitshëm i fjalës shqipe me siguri do ketë vënë tash buzën në gaz me këto dyshime. Por nuk duhen fajësuar edhe aq “dyshuesit”.

Për sa kohë poezitë e Nolit dhe shumë autorëve të traditës do vijojnë të studiohen në shkollat tona thjesht si punë letërsie e rimash, pa u ndalur thuajse aspak në analiza filologjike mbi vlerën e fjalës shqipe ndër shekuj, ka gjasë që edhe Noli të na duket shpejt po aq i largët nga vetja sa po duket sot Fishta.

(GazetaShqiptare)

Shpërndaje

  • Blic Google+

Të Fundit nga Rubrika