Lajme

ARKEP zbret çmimet e thirrjeve ndërmjet operatorëve të telefonisë mobile

01/11/2017 12:17
nga:Gazeta Blic

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), njofton opinionin publik se ka marrë vendim për zbritjen e çmimeve të terminimit të thirrjeve me shumicë ndërmjet operatorëve të telefonisë mobile sipas modelit të përshkallëzuar të bazuar në formulën e efikasitetit krahasues të vendeve të Bashkimit Evropian.

Bazuar në modelin e miratuar, çmimet e terminimit të thirrjeve mobile (MTR), pra çmimet, të cilat operatorët i paguajnë njëri–tjetrit do të ulen ndjeshëm, përkatësisht tarifa e deritashme prej 2.3 euro cent nga data 1 janar zvogëlohet në 1.74 euro cent/min ose mbi 24 përqind.

“Modeli parasheh 4 faza të zvogëlimit të çmimeve në baza 6 mujore, ku nga korriku i vitit 2017 do të kemi një zbritje prej 13 përqind për secilën fazë, përkatësisht 1.515 euro cent/min, pastaj më 1 janar 2018 1.318 euro cent/min dhe më datë 1 korrik 2018 1.146 euro cent/min”, thuhet në një komunikatë të ARKEP.

Qëllimi kryesor i analizës së tregut dhe vendosjes së detyrimeve rregullatore për operatorët e telefonisë mobile është sigurimi i konkurrencës efektive në treg.

“Po ashtu zvogëlimi i çmimeve në mes operatorëve është një parakusht i rëndësishëm që do të nxitë operatorët në zbritjen e mëtutjeshme të çmimeve për thirrjet me pakicë, përkatësisht krijimin e pakove më të lira për konsumatorët dhe kualitet më i mirë i shërbimit në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

ARKEP gjithashtu njofton qytetarët se me ndarjen e kodit shtetëror të telefonisë +383 për Republikën e Kosovës nga ITU, janë krijuar kushtet për marrjen e masave të mëtutjeshme rregullative me qëllim të, zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit, mbrojtjes së konkurrencës në nivel të shërbimeve dhe zvogëlimit të çmimeve të përdorimit të telefonisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.