Cult

Ambasadori Lirim Greiçevci viziton në Londër artisten Alketa Xhafa-n

03/17/2017 17:27
nga:Gazeta Blic

Xhafa Mripa që nga dje është pjesë e Tate Modern me “Who Are We”. Deri me 19 mars ajo pret vizitorët në kamionin ku gjendet instalacioni i saj “Refugees Welcome”.

Lirim Greiçevci, Ambasadori i Kosovës në Angli, ka vizituar sot artisten shqiptar Alketa Xhafa Mripa dhe instalacionin e saj në Galerinë Tate në Londër.

“Kënaqësi dhe mburrje ta vizitoj artisten e mirënjohur, Alketa Xhafa Mripa, para galerisë Tate Modern në Londër, ku ajo ka vendosur instalacionin e saj artistik “Refugjatët janë të mirëseardhur”, në kuadër të ekspozitës “Kush jemi ne”. Instalacioni dhe porosia që ai përçon, për trajtimin human të refugjatëve të ikur nga zonat e luftës, i bën nder jo vetëm artistes por edhe popullit të Kosovës, i cili ka përjetuar vetë ikjen nga tmerret e luftës dhe kërkimin e shpëtimit në vendet e tjera. Porosia vjen edhe më e fuqishme në kohën në të cilën po jetojmë, të shmangies nga vlerat universale të humanizmit dhe mëshirës për fatin e refugjatëve që kërkojnë strehim dhe shpëtim nga vuajtja dhe vdekja. Alketa, përmes fuqisë së artit, bën thirrje për kthim në vlerat civilizuese, të kujdesit dhe mirëpritjes së refugjatëve, atyre që popullit të Kosovës u ishin ofruar me zemërgjerësi në të kaluarën” ka shkruar Greiçevci në rrjetin social Facebook ndërsa ka postuar fotografi me artisten.

Xhafa Mripa që nga dje është pjesë e Tate Modern me “Who Are We”. Deri me 19 mars ajo pret vizitorët në kamionin ku gjendet instalacioni i saj “Refugees Welcome” ku ajo mirëpret cdokë për një kafe dhe bisedë të thjeshtë.

Alketa ka mirëpritur mysafirë të ndryshëm në kamionin e saj, e gatshme të bisedojë me refugjatët që e vizitojnë. Instalacioni i saj është goditje për politikat që bota perëndimore po i implementon karshi refugjatëve, tanimë jo vetëm në Evropë dhe Lindje të Mesme por edhe në Amerikë.