Opinion

Abortet e pasigurta, një kapitull i heshtur kosovar

07/18/2017 16:13
nga:Gylymser Hoxhaj

Nga: Gylymser Hoxhaj

Në sallën ku kryhen abortet në QKUK, është e vendosur një fotografi ku shihet një përqafim mes nënës dhe fëmiut dhe poshtë saj shkruan “Krim i bërë nga vetë duart e nënës”. Gratë që veçse kanë marrur këtë vendim, për të mos qenë gjatë gjithë jetës së tyre të stigmatizuara dhe për t’iu shmangur shikimeve përçmuese të këtij “krimi”, shpesh zgjedhin klinika private të palicencuara, aty ku nuk përbëjnë as si pjesë e statistikave të grave që në jetën e tyre kanë kryer abort, madje këtë e paguajnë edhe me çmimin e rrezikut që kjo mund të ju sjellë. Në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të zhvilluara, planifikimi familjar është shpesh një çështje politike që shoqërohet me debate për privatësinë, abortin dhe të drejtën e grave për të zgjedhur. Në Kosovë kjo temë fshihet pas konstruktit të një shoqërie paragjykuese, me një vullnet të çelikt për të mos i thyer tabutë, e që në anën tjetër i bën më të theksuara gjurmët e një kulturë patriarkale. Në këtë vend, çështja e abortit është temë e cila bisedohet vetëm brenda dyerve të shtëpisë edhe atë vetëm në rastet kur duhet të merret ndonjë vendim ndërsa institucionet publike vetëm se e përkrahin këtë traditë, duke mos e përmendur kurrë as si të drejtë të gruas, e as si çështje të rëndësishme të shëndetit të saj riprodhues.

Kosova e ka të rregullar me ligj çështjen e ndërprerjes së shtatzënisë i cili i jep të drejtë gruas të vendos për abort deri në fund të javës së dhjetë të shtatzënisë, duke llogaritur nga dita e parë e ciklit të fundit menstrual. Pas kësaj përiudhe aborti është i ndaluar ligjërisht dhe lejohet vetëm në rastet e problemeve shëndetësore, përdhunimit, incestit dhe për këtë nevojitet aprovimi i komisionit shëndetësor profesional.

Të dhënat e raportit të publikuar nga UNFPA në vitin 2009 tregojnë se Kosova ka pasur një shkallë abortesh prej 480 aborte për 1000 lindje të gjalla që është shifër më e madhe se shumica e vendeve në rajon. Edhe në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se “8% të femrave të moshës 15-49 vjeçare kanë pasur së paku një abort të qëllimshëm dhe pothuajse një e pesta (17%) e atyre të moshës 45-49 vjeçare. Në mesin e femrave që kanë pasur aborte, 71% e tyre kanë pasur një abort derisa 25% kanë pasur dy apo tri aborte, dhe 4% kanë pasur katër e më shumë aborte.

Sipas kornizës ligjore në Kosovë çdo institucion shëndetësor është i obliguar të raportoj të dhënat statistikore lidhur me ndërprerjen e shtatzёnisë. Ndërsa sipas një hulumtimi “Turpi mbi Trupin” të Preportr del se nga 122 klinika gjinekologjike private që gjenden në Kosovë, vetëm pesë prej tyre kanë licencë për të ushtruar veprimtarinë e ndërprerjes së shtatzënisë kurse sipas raportit mbi Shëndetin dhe Kujdesin shëndetësor në Kosovë (Ministria e Shëndetësisë, 2004) ka raportime të pa dokumentuara që klinikat private bëjnë aborte madje edhe pas javës së 10-të të shtatzënisë.

Përkundër asaj që aborti është i lejueshëm me ligj, nga punonjëset në QKUK shihet si i palejueshëm moralisht dhe përcillet dhe me këshilla të tjera krahas atyre shëndetësore. Ndërsa konfidencialiteti është një problem tjetër që i shtyen gratë, veçmas femrat e pamartuara të ngurrojnë para se t’ia mësyjnë këtij institcioni publik për abort. Sipas gjinekologëve që morën pjesë në një studim të UNFPA-së, konfidencialiteti nuk mund të sigurohet në klinikat publike, aty ku edhe shumë nga pacientët mund të njihen me njëri-tjetrin. Trajtimi i abortit si akt i turpshëm dhe kriminal tregon për mëndësinë e shoqërisë, e cila prek edhe aspektin profesional mirëpo kjo shërben vetëm si stimulim që të gjendën mënyra të tjera, që aborti të kryehet në mënyrë të fshehtë, larg syve dhe vëshëve të shoqërisë. Abortet të cilat bëhën për arsye financiare, janë tregues për dështimin e shtetit për të luftuar varfërinë në këtë shoqëri. Ndërsa fuqizimi i rolit të femrës si pjesë e rëndësishme në shoqëri tashmë është e qartë që lidhet me fuqizimin e saj ekonomik, kurse kur flitet për abortin tek vajzat e pamartuara të cilat duan ta rrisin një fëmijë vetëm, ato gjenden në një terren sa të vështirë financiar, aq edhe paragjykues për vetën dhe për fëmijën, të cilit shpesh në zhargonin e shoqërisë tonë, i janë referuar si “kopil”.

Në anën tjetër kjo gjendje veçse i ka hapur dyert klinikave private të palicencuara, të cilat janë bërë adresë e fshehtë por e sigurt sa i përket anonimitetit, por që realizon një proces të pasigurt. Si shtyes i fuqishëm është fakti që nuk janë të detyruara të arsyetojnë këtë vendim, madje edhe kur këtë vendosin ta bëjnë pas përiudhës së përcaktuar me ligj. Sipas OBSH-së aborti i pasigurt është ndërprerja e shtatzënisë nga njerëz që nuk kanë aftësitë e nevojshme, ose në një mjedis ku mungojnë standardet minimale mjekësore, ose të dyja . Në Kosovë përveç 5 klinikave që kanë licencë, nënkuptohet se klinika të tjera private nuk i plotësojnë kushtet për të kryer abort.

Në anën tjetër një barrë e madhe bie mbi institucionet përgjegjëse të cilat nuk e bëjnë asnjë hap në inspektorimin e tyre, duke e bërë kështu të pamundur edhe përgjegjësinë që ato e kanë para ligjit qe të raportojnë të dhënat statistikore të kryerjes së aborteve. Po ashtu mozaiku i këtij procesi nuk do të ishte kaq i trishtë nëse nuk do te plotësohej edhe me abortin brenda shtëpive me metoda tradicionale dhe nëpërmjet tabletave, të cilat shiten jashtëligjshëm, kushtojnë lirë dhe blihen lehtë, pa recetë mjekësore, ani pse përodrimi i tyre pa përkujdesje mjekësore mund të shkaktojë efekte të rënda anësore për trupin e gruas apo gjakderdhje deri në vdekje. Të padukshme si shifra por të rrezikshme janë edhe rastet e abortit tradicional si bartja me qëllim e objekteve të rënda, rrëzimi, shkelmimi i sipërfaqes së barkut, pirja e birrës me shkumë dhe ulja në tigan të nxehtë.

Zërat për të ndryshuar mendësinë mund të hasin në vesh të shurdhër, pëderisa një shoqëri vazhdon të rritet duke i kaluar faqet e librave në të cilat flitet për edukimin seksual. Në anën tjetër edhe institucionet shëndetësore duket se kanë çaluar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve lidhur me këtë çështje. Në bazë të një raporti monitorues mbi shëndetin e grave dhe fëmijëve të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përdorimi aktual i kontraceptivëve është raportuar të jetë tek 66% e grave aktualisht të martuara apo në bashkëjetesë. Mirëpo vetëm 13% e këtyre grave përdorin metoda moderne, të cilat janë më të sigurta sa i përket mbrojtjes së shtatzënive të padëshiruara. Në një panel mbi abortin në Kosovë, përfaqësuesja UNFPA-së, Visare Mujko-Nimani ka ilustruar një rast kur një mjek bëri 11 aborte me gruan e njejtë, por nuk e këshillonte në përdorimin e ndonjë mjeti kontraceptiv, ani pse sipas ligjit informimi dhe këshillimi pas ndërprerjes së shtatzënisë është i detyrueshëm nga shërbimet mjekësore.

Nga e gjithë kjo shihet qe në Kosovë nuk mungojnë abortet nga vajzat dhe gratë, krejt çka mungojnë janë shifra të sakta dhe diskutime publike mbi abortin. Po ashtu studimet të cilat mund të ndihmojnë në këtë fushë janë të pakta dhe mund të numërohen me gishtat e njerës dorë, por nëse vazhdohet kështu rruga drejt tyre do të vazhdoj të jetë e vështirë. Një shoqëri e cila e bën abortin në mënyrë të fshehtë dhe të pasigurt, tregon se turpi nuk duhet të bie mbi abortin, por mbi mënyrën se si ai kryhet. Duke iu qasur kësaj çështje në mënyrë ligjore dhe profesionale por para se gjithash njerëzore, ne respektojmë të drejtën e çdo gruaje për të vendosur mbi trupin e saj dhe në këtë mënyrë, i largojmë asaj barrierat për një abort të pastër dhe të sigurt. Shëndeti riprodhues i gruas flet për shëndetin e këtij vendi dhe lidhet me të ardhmen e kësaj shoqërie, andaj të mos jetë aborti kapitull i heshtur i një vendi ku ai është i ligjshëm dhe kryhet në mënyrë të paligjshme.


© GazetaBlic | Autore: Gylymser Hoxhaj


 

10/16/2017 20:34

Qymyri po ngulfat ajrin në Kosovë