Opinion

AAK – e tradhtuara e përhershme

06/06/2017 10:17
nga:Xhemal Ahmeti

Partia njëqind herë e bërë lesheli nga tjerët – me tradhti. Kur je kaq naiv saqë ta fut çdokush sa mund të jesh i aftë për pushtet e qeveri? Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjemi në fund.

*
Menjëherë pas shkuarjes vullnetare në Hagë partinë e Haradinajt e morri nën kontroll këshilltari i liderit, Blerim Shala, i cili në fund doli të ishte «Kali i Trojës» i Hashim Thaçit me synimin e defaktorizimit të AAK-së. Që nga paskthimi nga Haga partia është opozitë – opozita e njëmendtë dhe konstante. Para zgjedhjeve të kaluara ajo ishte e para që ndërmori aksionin e pastrimit të radhëve të saja nga të inkriminuarit. Plotë janë të mendimit se nuk ia doli si duhet ngase besojnë të inkriminuar ka edhe nga rrethi farefisnor të liderit. Fakte nuk ka. Vetëm spekulime.

Në zgjedhjet e shkuara AAK hyri në union në të ashtuquajturin VLAN. U tradhtua nga LDK e Isa Mustafës. Nëpër gaz e tym LVV ia merrte deputetët AAK dhe synonte infiltrimin e bazës së Nismës. Pas tërheqjes nga metodat e dhunës kundër institucioneve, vonë kuptoi Haradinaj se partia e Albin Kurtit me koalicion nënkupton absorbimin dhe pushtimin e homologeve të saja e jo zgjidhje problemesh e kauzash. Pa pjesëmarrjen e AAK dhe Nismës në rezistencën kundër demarkacionit dhe çështjeve tjera nuk do kishte as bllokadë e as rënie të qeverisë që shkoi.

Pas një biografie tradhëtimi permanent nga të gjithë herë natën, herë ditën pse pranoi Haradinaj koalicionin me PDK-në, e cila e para nisi «demolimin« e saj? Ngase lideri i AAK-së i beson Kadri Veselit se nuk do t’ia bëjë të njëjtën lojë?

*
Të gjitha akuzat të ketë bërë krime lufte dolën shpifje. Miti mbi vrasjen e dëshmitarëve u bë më shumë nga gazetarët prepotentë shqiptarë – të cilët botohen përtej gardhit vetëm atëherë kur sajojnë storien e njëjtë të demonëve me markën e UÇK-së e asnjëherë nuk merren seriozisht po medituan mbi krimet serbe – se sa nga faktet që solli dikush. E gjithë ajo aparaturë juridike ndërkombëtare e liroi disa herë nga akuzat se s’pati si ta dënojë. Vetëm Serbia – e natyrshme – nuk dorëzohet ende dhe ata që vuajnë nga simptoma e autorehabilitimit të kenë qenë kundër luftës ngase pacifist e jo projugsllav edhe pse të njëjtët ligjëronin perëndimit edhe Rugova të ishte një «i padijshëm i dehur» ose «frikacak që s’duhet të financohet nga qeveritë në ekzil».

Dukuri kjo në gjitha shoqëritë e dala nga lufta.

Ikja e Haradinajt në Hagë s’pata asnjë pozitivitet tjetër për të, përveç triumfit moral që ai synonte: Ai besonte se nëpërmjet tij do të pastrohet edhe lufta kosovare nga akuzat morbide të cilat vinin nga gjithandej. Sot akuza të jetë i korruptuar është poaq idioteske: pse nuk i përdorte milionat e mbledhura nga haraçi të paguaj avokatët por i duhej t’i nënshtrohej Pacollit, mërgimtarëve e fondeve vullnetare, ngase qeveritë kosovare zotoheshin se do ti paguajnë harxhimet e në fund nuk i paguanin faturat?

*
Sidoqoftë të jetë: a është Haradinaj kandidati i nevojshëm për kryeministër të Republikës së Kosovës:

1. Për nga konsistenca në orientimit e vendit drejt botës së lirë – Po!

2. Është partia e vetme që nuk ka lejuar, edhe në gjendjet e saja më të rënda, të korruptohet nga organizatat teokratike, fundamentaliste apo satelitësh qeverish të huaja për ndikim apo përvetësim të kulturosferës shqiptare. Pra: mbron identitetin kulturor të shqiptarit, lirinë e tij të jetë ashtu siç është, pa kompromis.

3. Asnjëri nga eksponentët kryesorë të AAK-së nuk gjendet përbrenda aferave korruptive si: «3%», «Vendlindja Thërret», «Shik-u» e të ngjashme.

4. Për shkak të mosqenies në pushtet, por opozitë vetëm me 100 ditë pjesëmarrje në qeveri ajo është e pastër sa i përket përgjegjësisë për dështimin e shtetit apo politikave qeveritare.

5. Është partia pa asnjë hipotekë në lidhje me kohën e ish Jugosllavisë: asnjëri prej eksponentëve nuk ka qenë funksionar i lartë në atë kohë dhe as nuk mund të flitet të jetë e populluara me të kategorisë që mund të konsiderohen post-titiste.

6. Është e vetmja parti që sot e kësaj dite konsiderohet nga serbët si që duhet të luftohet me të gjitha mjetet. Arrestimi i Haradinajt – të vetmit nga të gjithë – në Francë ishte pasojë e kësaj frike serbe për ta parandaluar ngritjen e tij. Dhe nuk dështoi ngase menjëherë pas kthimit «brigadat e tyre në Kosovë» e gjetën hyrjen e tij në koalicion me PDK-në si shkak të mirëseardhur për ta difamuar.

*
T’i rikthehemi pyetjes së bërë në fillim. Pse gabon sërish Haradinaj?

Pse hyri në koalicion Haradinaj me PDK-në kur e dinte se mund të humb përkrahje për këtë. Arsyet mund të jenë këto:

1. Kadri Veseli nuk është Hashim Thaçi. Ai njihet si njeri i fjalës – në të mirë e në gabime. Po të mos kishte qenë ashtu, mos ta mbajë fjalën deri në fund, shumëkush sot në VV, LDK dhe gjithandej do të detyrohej të ikë nga politika nëqoftëse ai publikonte listat e «agjentëve» të tij. Ky është realitet absolut. Veseli ishte shef i një mekanizmit të domosdoshëm luftë që bënte atëherë punë patriotike. Haradinaj i beson Veselit që nga lufta. I beson atij se vërtetë do ta pastroj PDK-në dhe nuk do ta mashtrojë për qeverisjen e ardhshme.

2. Në politikë nuk ka vija të kuqe. Është absurde të tentosh ta përjashtosh partinë më të madhe të vendit. Nuk mundesh. Këtë e kanë dëshmuar para AAK-së gjitha tjerat. LDK, Nisma dhe këdo që e ka ftuar Hashim Thaçi në tavolinë. LVV është përjashtuar përherë me kërkesën kategorike të ndërkombëtarëve – të cilët as që frikohen se ajo mund të vijë në pushtet. Dhe ajo po pati rastin të bashkëqeveris me koalicionin e ardhshëm, e para do ta bëj, nëse bazohemi në ndërrimin aq të shpeshtë të politikave.

*
Bazuar në këto koordinata, historinë e AAK-së dhe karakterin e Haradinajt ai është i pakonkurrencë si kandidat për kryeministër – e meriton në të gjitha aspektet. Se koalicioni PAN do ta fitojë shumicën tashmë s’ka asnjë dilemë.

E mira do të ishte mirëpo që kësaj partie edhe brenda koalicionit t’i jepet vota maksimale si garanci për të pasur një bazë pas veti.

E meriton votën më shumë se çdokush tjetër.Kosova ka ardhur në një stad kur s’mund të ecë para pa pasur në krye një njeri të vendosur dhe të parimeve konsistente. Rreziqet janë më të mëdha se mund t’ia paramendojmë për ardhmërinë e saj sa për të bërë eksperimente: Kosovës i duhet një lider i pakompromis në çështje të identitetit kulturor, respektit maksimal ndaj shtetit të Kosovës ashtu siç është njëherë, një lider i vendosur që nuk bën kompromise pa koncensus të gjerë gjatë përmbylljes së dialogut me Serbinë; një lider që nuk bën kompromise në ruajtjen e laicitetit; një lider që e thyen mendësinë e servilitetit ndaj tjerëve dhe që i shpall luftë të hapur çdo korrupsioni material dhe imaterial që dëmton vendin e tij. Gjitha këto i ka, pa hamendjen më të vogël, aktualisht vetëm Ramush Haradinaj. Tjerët – asnjëri!

11/24/2017 22:16

Anëtari i AAK-së në KQZ kundërshton ankesën e LDK-së për Istogun!