Lajme

A po i bashkojnë forcat VV dhe LAA ?

08/29/2017 18:40
nga:Gazeta Blic

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të koalicioni LAA edhe më tutje po bëjnë përpjekje për t’i përafruar qëndrimet programore, në përpjekjen për të fituar shumicën parlamentare, gjë të cilën nuk ka arritur që ta bëjë për gati tre muaj fituesi relativ i zgjedhjeve të qershorit, koalicioni PAN.

Kështu i tha portalit “Gazeta Blic” nënkryetari i parë i VV-së Dardan Sejdiu. Ai ka mohuar se sot kanë zhvilluar ndonjë takim, por ka shtuar se gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime të kësaj natyre.

I pyetur nëse ka pasur përafrime të qëndrimeve ndërmjet VV-së dhe LAA-së nga takimet e kaluara, Sejdiu tha se “po punohet në atë drejtim”, duke mohuar se ka diçka konkrete deri më tani, raporton GazetaBlic.com

Nënkryetari i VV-së Dardan Sejdiu

Takime intensive në tentativë për t’i bashkuar forcat ndërmjet VV-së dhe koalicionit LAA-n ishin planifikuar të fillonin nga dita e hënë e kësaj jave. Megjithatë, një gjë e tillë nuk pritet t’i japë fund krizës politike as këtë javë.

Ndryshe, në vazhdimin e seancës konstituive të mbajtur më 24, koalicioni PAN nuk ishte në gjendje që të dalë me propozimin e tij për kryekuvendar me arsyetimin se nuk i kanë votat e mjaftushme për zgjedhjen e tij. PAN ka për kryetar liderin e PDK-së Kadri Veselin.

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre./Gazeta Blic/

 

09/22/2017 21:57

Sadikaj: PDK-ja do të vazhdojë të mbetet Forca e Ndryshimit në vend