Opinion

Krimet dhe dënimet dhe krijimi i klimës së pasigurisë

10/01/2017 20:07
nga:Bekim Thaqi

Numri i krimeve në vendet post-konfliktuale, gjithmonë është më i madh, se sa në vendet në të cilat nuk ka pasë veprime apo aktivitete luftarake për shume arsye.

Arsyet janë prej më të ndryshmeve duke filluar nga traumat e ndryshme, psikozat dhe stresi i lartë, që ndikon në njerëzit dhe shoqërinë e përfshirë në një luftë apo aktivitete luftarake të përmasave të mëdha.

Edhe Kosova bën pjesë në vendet e tilla, dhe pas lufte është vërejtur një fluks i rritjes së krimeve të ndryshme anembanë vendit. Me krijimin e institucioneve ndërkombëtare, dhe më pastaj edhe vendore, në Kosovë u vendos një sistem i drejtësisë i cili filloi të trajtojë veprat e tilla dhe ofroi një themel për vendosjen e drejtësisë.

Megjithëse në dukje funksional, sistemi i drejtësisë tek ne nuk ka arritur ende që ta bind qytetarin dhe shoqërinë se është i drejte dhe i paanshëm në gjithë sferën e funksionit të tij, në shërbim të drejtësisë ligjore dhe kjo si pasojë e lëshimeve dhe mosguximit që të trajtohen raste dhe lëndë të ndryshme, apo shpeshherë edhe ndërhyrjeve te ndryshme që bëhen nga lart dhe anash në sistemin e drejtësisë.

Vazhdimisht ka munguar një bashkëpunim në bërjen transparente të lëndëve apo rasteve, me ç’rast shumicën e kohës policia ankohet se gjykata po i liron kriminelet ndërsa ne anën tjetër gjykata thotë se policia bashkë me prokurorin nuk ka sjellë dëshmi të mjaftueshme që të mundësohet dënimi i personave që janë sjellë para organeve të gjyqësisë.

E vërteta qëndron diku në mes, dhe ka edhe shume prapaskena gjatë zhvillimit të procedurave të rasteve, dhe shpeshherë me ose pa qëllim pengohen apo edhe vjetërsohen lëndët në mënyrë që persona të caktuar të lihen të lirë dhe të pengohet zbatimi i drejtësisë.

Ku qëndron qytetari në këtë mes?

Një pjesë e qytetarëve kanë humbur besimin në drejtësi dhe shpeshherë edhe nuk i raportojnë rastet që u ndodhin, dhe në këtë mënyrë kontribuojnë edhe ata vetë që krimet të mbesin të padëgjuara, ndërsa një pjesë tjetër e qytetarëve mendon se edhe po të bësh çfarëdo krimi ka mundësi që t’ia hedhësh dhe të mos përgjigjesh për atë. Kjo ka sjellë një klimë të pasigurisë ku qytetarët e ndershëm frikësohen ndërsa ata që bëjnë krime, i bëjnë ato pa pasur ndonjë frikë të madhe se do të mund të ndëshkohen.

Rastet e krimeve të ndryshme që bëhen publike përmes medieve dhe portaleve dhe që më pastaj nuk gjinden autorët, dhe që edhe kur gjinden autorët drejtësia është e ngadalshme apo edhe tejet inerte në zbatimin e ligjit vetëm se kanë rritë ndjenjën e inferioritetit tek qytetarët e Kosovës por edhe kanë shtuar pasigurinë e përgjithshme dhe ndjenjën e frikës.

Pa një sistem të mirëfilltë të sistemit të drejtësisë e duke filluar nga hetimet policore e deri tek vendosja dhe zbatimi i drejtësisë nga ana e gjykatave tona, do të vazhdojë klima e pasigurisë, dhe mendimi se në këtë vend mund të bësh çfarëdo dhe t’ia hedhesh, do të jetë prevalent dhe shtytës edhe për krime tjera të mundshme .